Shpërthim në stacion policie në Siri, të paktën 3 të vdekur

Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm që goditi një stacion policie në qytetin Al-Mayadeen, në provincën lindore Deir az Zor, të dielën. Ngjarja ndodhi një ditë pasi qeveria e përkohshme siriane njoftoi për një operacion të suksesshëm kundër ‘qelizave të fjetura’ të ISIS-it në qytetin verior të Aleppos, ku u vranë tre militantë dhe u arrestuan katër të tjerë.

Sipas Ministrisë së Brendshme siriane, operacioni në Aleppo u realizua në bashkëpunim mes Departamentit të Sigurisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Inteligjencës, ndërsa gjatë ndërhyrjes humbi jetën edhe një oficer sigurie.

Presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa, i cili mori pushtetin pas rrëzimit të Bashar al-Assad në dhjetor nga një ofensivë e udhëhequr nga grupi opozitar Hayat Tahrir al-Sham, është një kundërshtar i hapur i ISIS-it. Al-Sharaa, që hoqi dorë nga lidhjet me al Kaedën në vitin 2016, ka premtuar eliminimin e mbetjeve të kalifatit të shpallur dikur nga grupi ekstremist.

Shpërthimi në Al-Mayadeen pason një seri zhvillimesh të tensionuara, përfshirë dhe pengimin e një komploti të mëparshëm të ISIS-it pranë faltores Sayeda Zeinab, një vend pelegrinazhi për myslimanët shiitë në jug të Damaskut.