Shpërthim në qendër të Athinës, bomba ishte futur në një çantë shpine – momenti i kapur nga kamerat e sigurisë

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qendrën e Athinës mëngjesin e sotëm, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në zyrat e kompanisë hekurudhore greke “Hellenic Train”.

Sipas autoriteteve greke, bomba ishte vendosur në një çantë shpine të lënë jashtë godinës së kompanisë. Pamjet nga kamerat e sigurisë (CCTV) kanë regjistruar momentin dramatik të shpërthimit, i cili për fat të mirë nuk ka shkaktuar viktima apo të lënduar.

Policia njoftoi se një telefonatë anonime ishte bërë në një media greke pak para shpërthimit, duke paralajmëruar për sulmin, çka ka ndihmuar në evakuimin e zonës dhe shmangien e pasojave tragjike.

Ngjarja ndodh në një kohë të tensionuar për Greqinë, pasi në vitin 2023 ndodhi një aksident tragjik hekurudhor, ku humbën jetën 57 persona, çka ka rritur ndjeshmërinë publike dhe institucionale ndaj çështjeve të sigurisë në sektorin e transportit.

Ministri grek i Transportit, Christos Dimas, e dënoi ashpër shpërthimin, duke e cilësuar si “akt kriminal” dhe theksoi se “asgjë nuk e justifikon terrorizmin”. Ai premtoi se autoritetet dhe drejtësia do të punojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të vënë përgjegjësit para ligjit.

Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet po analizojnë pamjet filmike dhe po ndjekin çdo pistë të mundshme mbi motivet dhe autorët e shpërthimit.