Shpërthim me eksploziv në Krujë, makina e 25-vjeçarit dëmtohet nga lënda plasëse

Një shpërthim me eksploziv ka tronditur qytetin e Krujës në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 03:20 në rrugën “Vrana Konti”, ku një sasi e vogël lënde plasëse është vendosur në një automjet tip “Opel Corsa”.

Mjeti ishte në përdorim nga shtetasi E. K., 25 vjeç, dhe nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale në pjesën e përparme të tij. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.

Forcat e policisë dhe grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Deri më tani, nuk dihen motivet e vendosjes së eksplozivit në automjet.