Shpërthim i fuqishëm në një pikë karburanti në Romë, 10 të plagosur – përfshirë policë dhe zjarrfikës
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e kësaj të premte qytetin e Romës, duke shkaktuar panik dhe dëme të mëdha në një pikë karburanti në zonën Prenestino.
Sipas mediave italiane, shpërthimi u pasua nga flakë të mëdha, ndërsa forcat e zjarrfikësve, policisë dhe vullnetarë të mbrojtjes civile ndërhynë menjëherë në vendngjarje. Të paktën 10 persona janë plagosur, mes tyre 8 oficerë policie dhe një zjarrfikës.
Stacioni i metrosë Teano u mbyll për shkak të afërsisë me vendin e shpërthimit, ndërsa disa ndërtesa përreth kanë pësuar dëme strukturore.
Banorët u detyruan të largohen menjëherë nga banesat e tyre pas shpërthimit. Dëshmitarë okularë raportojnë se era e gazit ishte e ndjeshme para shpërthimit, i cili u pasua më pas edhe nga një shpërthim i dytë më i fortë.
“U zgjova papritur, dëgjova një shpërthim shumë të fortë, tingëllonte si një bombë”, tha një dëshmitar nga Prenestino.
“Të gjitha dritaret dridheshin, mendova se po ndodhte tërmet”, shtoi një banor tjetër nga Centocelle.