Shpërthim i fuqishëm në mes të detit! Cisterna e naftës përplaset me anijen e mallrave

Një cisternë nafte dhe një anije mallrash janë përplasur në Detin e Veriut, pranë brigjeve të Lincolnshire, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe flakë të mëdha. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:50 të mëngjesit, rreth 13 milje larg bregut.

Sipas raportimeve, një numër i madh njerëzish kanë braktisur anijet pas përplasjes, ndërsa 32 persona janë shpëtuar dhe janë sjellë në breg. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk dihet, ka deklaruar Martyn Boyers, shefi ekzekutiv i Portit të Grimsby East.

Cisterna e naftës, e quajtur Stena Immaculate, lundronte nën flamurin amerikan, ndërsa anija e mallrave Solong mbante flamur portugez, sipas të dhënave të Marinetraffic.com. Katër ekipe shpëtimi ndodhen në vendngjarje për të menaxhuar situatën dhe për të parandaluar ndonjë ndotje të mundshme detare. Autoritetet po vijojnë hetimet për shkaqet e aksidentit.