Shpërthen vullkani në Islandë, evakuohen qindra banorë dhe turistë

Një vullkan ka shpërthyer në jug të kryeqytetit të Islandës, Reykjavik, duke detyruar autoritetet të evakuojnë qindra banorë dhe turistë nga zona e rrezikuar.

Lava ka depërtuar nëpër barrierat mbrojtëse pranë qytetit të peshkimit Grindavík, duke nxitur një urdhër evakuimi për banorët. Ndërkohë, edhe banja luksoze “Blue Lagoon” është evakuuar disa orë para shpërthimit, pasi ekspertët kishin paralajmëruar për aktivitetin vullkanik.

Sipas Rikke Pedersen, kreut të Qendrës Vullkanologjike Nordike në Islandë, shpërthimi ishte i ngjashëm me atë të janarit 2024, kur llava përfshiu qytetin e Grindavík. Edhe pse shpërthimet në gadishullin Reykjanes deri më tani nuk kanë ndikuar drejtpërdrejt në kryeqytetin Reykjavik dhe nuk kanë shkaktuar shpërndarje të konsiderueshme të hirit, ekspertët parashikojnë se këto shpërthime mund të përsëriten për dekada apo edhe shekuj.

Islanda, e njohur si “vendi i akullit dhe zjarrit”, shtrihet mbi kreshtën e Atlantikut të Mesëm, ku takohen pllakat tektonike të Euroazisë dhe Amerikës së Veriut. Vendi, me rreth 400,000 banorë, tërheq çdo vit mijëra turistë për të eksploruar natyrën e saj unike, duke përfshirë gejzerët, burimet e nxehta dhe vullkanet.