Shpërthen sërish vullkani në gadishullin Reykjanes! I nënti që nga fundi i vitit 2023, evakuohen banorët dhe turistët
Një tjetër shpërthim vullkanik ka tronditur gadishullin Reykjanes në jugperëndim të Islandës, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, duke shënuar shpërthimin e nëntë që nga fundi i vitit 2023 dhe duke konfirmuar një fazë të re të aktivitetit intensiv vullkanik në rajon.
Sipas Shërbimit Meteorologjik të Islandës (IMO), shpërthimi filloi pak para orës 4 të mëngjesit me orën lokale. Të dhënat e para tregojnë formimin e një çarje të re vullkanike, me gjatësi rreth 2.4 kilometra, si dhe një tjetër më të vogël prej 500 metrash. Zyrtarët raportojnë se nuk ka rrezik të menjëhershëm për infrastrukturën, megjithatë përqendrimi i lartë i gazrave toksikë ka detyruar autoritetet të marrin masa të rrepta sigurie.
Fshati bregdetar i Grindavik dhe resorti i famshëm turistik Blue Lagoon, i njohur për ujërat termale dhe frekuentuar nga mijëra vizitorë çdo vit, janë evakuuar menjëherë. Sipas deklaratës së shefes së policisë Margret Kristin Palssdottir, rreth 100 persona janë larguar në mënyrë të sigurt, ndërsa janë ndaluar turistët që tentonin të afroheshin në zonën e shpërthimit.
“E kuptojmë që është një fenomen mbresëlënës, veçanërisht për ata që nuk janë mësuar me këtë realitet, por siguria vjen e para,” theksoi Palssdottir për mediat lokale.
Ky shpërthim erdhi vetëm një ditë pasi autoritetet islandeze kishin deklaruar se nuk pritej një shpërthim tjetër përpara vjeshtës. Gjeofizikani i IMO-së, Benedikt Ófeigsson, sqaroi se shpërthimi aktual është më i vogël krahasuar me disa nga shpërthimet e mëparshme, por ndjek të njëjtën linjë të tensionuar të aktivitetit vullkanik që ka filluar në vitin 2021.
Gadishulli Reykjanes kishte qëndruar i qetë për mbi 800 vjet, derisa në vitin 2021 nisi një cikël i ri shpërthimesh dhe aktiviteti sizmik, që tashmë është bërë një realitet i zakonshëm për jetën e përditshme të islandezëve. Që nga fundi i vitit 2023, pothuajse të gjithë 4.000 banorët e Grindavik janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, në disa raste disa herë radhazi.