Shpërthen gripi i shpendëve, vendoset në karantinë ferma e kompanisë “Rea’s”

Gripi i shpendëve është rikthyer në vend, duke çuar në karantinimin e një ferme në fshatin Maliq Muço, e cila është në pronësi të kompanisë “Rea’s”. Shërbimi veterinar mori këtë masë pasi në fermë u raportuan ngordhje shpendësh, çka ngriti dyshime për praninë e virusit H5N1.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, pas raportimit, u morën mostra zyrtare që u analizuan në Laboratorin e Referencës ISUV, ku u konfirmua prania e gripit të shpendëve. Në fermë mbarështohen mbi 227,000 shpendë të ndarë në pesë kapanone, por deri më tani ngordhjet janë regjistruar vetëm në njërin prej tyre.

Menjëherë pas konfirmimit të virusit, Qendra Kombëtare e Krizës thirri një takim urgjent dhe hyri në fuqi urdhri i Ministrit të Bujqësisë për marrjen e masave kufizuese dhe kontrollin e përhapjes së virusit. Autoritetet veterinare kanë njoftuar të gjithë subjektet që mbarështojnë shpendë në vend për të forcuar masat e biosigurisë dhe për të shmangur ekspozimin e shpendëve në mjedise të hapura.

Fermerët dhe qytetarët janë këshilluar të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë në numrin e gjelbër 08003366, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës për të parandaluar një krizë më të gjerë në sektorin e mbarështimit të shpendëve.