Shpërthejnë protestat në Greqi, përleshje me Policinë: Larg duart nga arsimi

Ditën e sotme Athina është përfshirë nga protestat e studentëve, të cilët kundërshtojnë hapjen e universiteteve private në vend.

Sipas mediave të huaja, protestuesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej “poshtë duart nga arsimi publik dhe falas. Provimet mund të presin, e ardhmja jonë nuk mundet”.

Protestuesit kanë hedhur sende të forta në drejtim të Policisë dhe kanë shkatërruar objekte të ambienteve publike e private.

Më herët pasditen e së enjtes, një grup personash me fytyrë të mbuluar, sulmuan ndërtesën e administratës pas përfundimit të marshimit.

Si pasojë e veprimeve të studentëve edhe policia greke u detyrua të përdorë forcën për të marrë situatën në kontroll duke përdorur shkopat e gomës dhe gaz lotsjellës.

Qeveri e Kyriakos Mitsotakis, që fitoi mandatin e dytë vitin që shkoi, po përgatit ligjin në Parlament që lejen hapjen e universiteteve private, si degë të universiteteve të huaja.

Teksa njoftonte ligjin në dhjetor, Mitsotakis tha se “kërkon të tërheqë studentë të huaj në vend” që kontribuojnë në ekonomi.

Greqia ka 24 universitete publike të akredituara që kanë qenë thuajse falas prej tre dekadash.