Shpërndanin drogë, arrestohen 2 të rinj në Kamëz

Arrestohen 3 persona në Kamëz, 2 prej tyre autorë të dyshuar për shitje lëndësh narkotike ndërsa tjetri ka shkelur masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e Kamzës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Doses”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. H., 18 vjeç, L. K., 18 vjeç dhe një i mitur 17 vjeç.Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në Bathore tre shtetasit e lartpërmendur dhe gjatë kontrollit fizik të 17-vjeçarit dhe shtetasit K. H., iu gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike konabis, e shisnin në doza, në zonën e Kamzës.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi L. K., kishte shkelur masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”.