Shpërdorim detyre, dhunë dhe përndjekje! AMP arreston 2 policë dhe pezullon nga detyra 1 tjetër
Dy punonjës policie janë arrestuar dhe një tjetër është pezulluar nga detyra pasi dyshohen se kanë kryer disa vepra kriminale.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën me dije në një njoftim zyrtar se shtetasi me inecialet A.H., 57 vjec Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë është arrestuar në flagrancë pasi duke drejtuar automjetin Volksëagen Pasat në unazën e qytetit të Korçës, ai është përplasur me mjetin Mercedes Benz që drejtohej nga shtetasi J. S. dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Gjithashtu në Elbasan, AMP njofton se pezulloi nga detyra inspektorin e policisë me inicialet B.T., 54 vjeç, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyre”.
Sipas AMP në pranga ra dhe edhe një Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, pasi dyshohet ka përndjekur dhe dhunuar një 27-vjeçare.
“Korçë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan- Korçë) ka arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 57 vjeç, me detyrë Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë, i dyshuar për “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Nga aksidenti ka patur vetëm dëme materiale.
Pas testimit të bërë me aparatin Drager ai rezultoi mbi normën e lejuar, në masën 1.07 mg/l”,- njofton policia.
“Elbasan, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Inspektor B. T., 54 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Masa e sigurisë u caktua në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, ku nga veprimet hetimore të thelluara nën drejtimin e Prokurorisë u bë e mundur grumbullimi i provave dhe fakteve që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se punonjësi i policisë B. T. ka favorizuar drejtues të ndryshëm automjetesh, të cilët kryenin shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”,- njofton AMP.
“Tiranë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor B. M., 24 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Përndjekja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetases M.H., 27 vjeçe, e cila ka deklaruar se B. M., ish i dashuri i saj, më datë 25.05.2025 ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka përndjekur vazhdimisht duke i shkaktuar pasiguri në jetën e saj”,- njofton policia.