Shpërblimi për punonjësit e policisë, ministri Hoxha: Të hënën miratojmë projektvendimin

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha deklaroi nga Kakavija se të gjithë punonjësit e policisë së shtetit se do të marrin shpërblimin si dhe pagesat për orët shtesë.

Sipas tij, ditën e hënë Këshilli i Ministrave do të miratojë aktin dhe projekt-vendimin, të cilin ata e kanë propozuar për dhënien e shpërblimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.

”Ministria e Brendshme ka bërë një propozim për heqjen e kritereve dhe përjashtimit të Policisë së Shtetit sa i përket një kriteri i cili vitet e tjera nuk ka qenë i realizuar për shkak të buxhetit.

Unë besoj se të hënën, Këshilli i Ministrave do të miratojë aktin dhe projekt-vendimin, të cilin ne e kemi propozuar për dhënien e shpërblimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Orët shtesë dhe suplementare janë të gjitha të parashikuara në Aktin Normativ, i cili është miratuar dhe të gjitha orët shtesë do të jepen sipas parashikimeve ligjore. Nuk ka asnjë keqkuptim e mosrakordim të strukturave dhe të projekt-vendimeve të dala nga qeveria në raport me dhënien e shpërblimit dhe orëve suplementare të Policisë së Shtetit. Çdo gjë është sipas asaj që neve kemi thënë dhe çdo gjë do të ndodhë sipas këtyre vendimeve të parashikuara në ligjin përkatës”, tha Hoxha.