Shpenzimet e çmendura dhe detyrime të pashlyera, FIFA sanksione mbi Al Nassr
Çmenduritë e shifrave në merkato kanë sjellë goditjen e parë.
FIFA ka pezulluar për momentin transaksionet e futbollistëve të Al Nassr. Sipas asaj që thuhet në media, organi i futbollit Botëror nuk do lejojë klubin e Arabisë Saudite për të regjistruar lojtarë të rinj.
Skuadra ku bën pjesë 5 herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo është dënuar me tre sesione transferimi, pra edhe për merkaton e veres se ardhshme. Gjithçka ka lidhje me mospagesën e bonuseve te Leicester City, nga ku Al Nassr nuk bëri pagesën e duhur për Ahmed Musa.
Al Nassr i detyrohet klubit anglez rreth 400 mijë paund dhe tani duket se po përballet me dënimet. Marrëveshja nuk është respektuar, ndaj ka ndodhur edhe bllokimi nga FIFA.
Tashmë, Al Nassr do të duhet të zgjidh këtë problem, me financat që nuk është se mungojnë. Musa shënoi 5 gola për Leicester City, ndërsa në 62 ndeshje me arabët realizoi 14 gola dhe ndihmoi ekipin të shpallet kampion në sezonin 2018-2019. Vendimi fillestar i FIFA-s mbërriti në vitin 2021, por tashmë CAS ka vendosur të mbaj anën e Leicester në këtë çështje.
Arabia Saudite ka bërë goditje të mëdha në këtë periudhë merkatoje, me shumë futbollistë të rëndësishëm që kanë firmosur në Lindjen e Mesme. Te Al Nassr u prezantua Marcelo Brozovic, teksa firmën në kampionatin arab e hodhën edhe lojtarë si Karim Benzema, Ruben Neves, N’Golo Kante, Kalidou Koulibaly dhe Edouard Mendy, ndërsa Steven Gerrard është bërë trajneri i ri i Al Ettifaq.