Shpallen vakancat për anëtarët dhe kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH pas shkarkimit të mëparshëm

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, u shpallën 11 vakancat për anëtarët dhe kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH, pas shkarkimit të anëtarëve të mëparshëm. Kryetarja e Komisionit, Ina Zhupa, e shoqëruar nga zëvendëskryetarja Evis Kushi, njoftuan se do të ketë një afat 10-ditor për dorëzimin e kandidaturave, për të siguruar funksionimin e duhur të RTSH-së dhe për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm.

Kushi propozoi që mandati i Këshillit të ri të jetë i plotë, për një periudhë 5-vjeçare. Komisioni miratoi unanimisht afatin për dorëzimin e kandidaturave dhe me shumicë votash u miratua mandati i plotë i Këshillit të Ri Drejtues. Këshilli i mëparshëm u shkarkua pas një raporti që evidentoi shkelje të rënda dhe të përsëritura.