Shpallen rezultatet përfundimtare të konkursit për ndjekjen e Kolegjit Profesional të Policisë

Policia e Shtetit ka publikuar rezultatet përfundimtare të procesit të konkurimit për ndjekjen e Kolegjit Profesional të Policisë, për Patrullë të Përgjithshme. Sipas njoftimit zyrtar, ky proces u realizua në bazë të urdhrit nr. 899, datë 01.07.2024, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Procesi i konkurimit kishte për qëllim pranimin e kandidatëve në rolin zbatues në Policinë e Shtetit. Kandidatët që kanë kaluar fazat e verifikimit të besueshmërisë, kontrollit mjekësor, testimit teorik, fizik dhe psikologjik janë vlerësuar sipas pikëve të arritura, ku për të kaluar, ishte e nevojshme të sigurohej të paktën 50% e pikëve në vlerësimin përfundimtar.

Në përfundim, vetëm kandidatët që kanë përmbushur këto kritere janë kualifikuar për të vazhduar trajnimin në Kolegj. Ndërsa aplikantët e skualifikuar, për çdo paqartësi apo ankesë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesat e tyre deri më 17 janar 2025, duke kontaktuar adresën zyrtare të burimeve njerëzore: burimet.njerezore@asp.gov.al.