Shoqëria e ujësjellësit Shkodër apel për menaxhimin e qëndrueshëm të ujit në ditën ndërkombëtare të ujit

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Ujit, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër organizoi një aktivitet sensibilizues për të risjellë në vëmendje rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore.

Kryeinxhinieri i ujësjellësit, Lazër Pema, theksoi se çdo ditë punohet intensivisht për furnizimin me ujë të pijshëm të abonentëve dhe bëri thirrje për përdorim të kujdesshëm të këtij burimi jetik.

“Në këtë ditë të rëndësishme kushtuar ujit, apelojmë që qytetarët të mos abuzojnë me ujin e pijshëm, pasi ai është një pasuri e kufizuar dhe e domosdoshme për jetën,” u shpreh Pema.

Ky aktivitet u organizua me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e ujit të pijshëm dhe përfshiu edhe aktivitete argëtuese për të gjitha grupmoshat, duke i afruar më shumë qytetarët me këtë çështje jetike.