Shoqata e Ndërtuesve: Apartamentet në Tiranë do të shtrenjtohen me 250 euro për metër katror
Çmimet e banesave do të pësojnë një tjetër rritje deri në 250 euro për metër katror dhe për këtë, Shoqata e Ndërtuesve tha se shkak është rritja e çmimeve të referencës. Me argumentin se barra tatimore në sektorin e ndërtimit është rritur më 28 Korrik 2023 me hyrjen në fuqi të vendimit për rritjen e çmimeve fiskale, shoqata kërkon rishikim të vendimeve.
“Një pjesë e mirë e ndërtuesve që kanë patur për të marr lejen përfundimtare të ndërtimit ku 8% ka hequr dorë nga zbardhja e kësaj leje deri në një moment të dytë. Vetëm kjo taksë po ta kthesh në euro për m2 në disa zona shkon dhe 150 euro për m2”, tha Erion Harizi, kryetar i Shoqatës së ndërtuesve.
“Me këtë VKM që futet në mes të këtij zinxhiri, I gjithë ky plan biznesi i shoqërive të ndërtimit ç’ekuilibrohet dhe ka efekte financiare të pallogaritshme, gati marramendëse për ata që janë në proces se ka disa zona të Tiranës ku çmimi i referencës është dyfishuar..”, tha Luigj Aleksi, president i Shoqatës së Ndërtuesve .