Shoferi “kyç” gojën, hetohet për vrasje/ Aksidenti tragjik ku vdiq 13-vjeçarja shqiptare në Itali, i riu lëvizte me 150 km/h

Një aksident i rëndë automobilistik në Lecco, Itali, ka shkaktuar vdekjen e Jennifer Alcani, një vajzë 13-vjeçare me origjinë shqiptare. Ngjarja tragjike ndodhi natën mes 9 dhe 10 janarit, kur makina tip BMW, në të cilën ndodheshin tre persona, doli nga kontrolli për shkak të shpejtësisë së lartë, duke u përplasur dhe shkatërruar.

Në mjet ndodheshin shoferi 22-vjeçar, një pasagjer 19-vjeçar (pronari i automjetit), dhe Jennifer, e cila qëndronte në sediljen e pasme. Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon se makina lëvizte me 150 km/h përpara se të ndodhte përplasja. Makina u dëmtua rëndë në anën e djathtë dhe në pjesën e pasme, duke shkaktuar dëmtime fatale për vajzën e re.

Shoferi dhe pasagjeri tjetër shpëtuan me disa plagë të lehta, ndërsa Jennifer pësoi dëmtime të rënda, duke qëndruar gjashtë ditë në koma përpara se të ndërronte jetë.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për ngjarjen. Prokurori i çështjes, Ezio Domenico Basso, tha se shoferi 22-vjeçar, i cili po hetohet për “vrasje në rrugë”, nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë. Nuk dihet ende nëse ai kishte konsumuar alkool apo substanca të tjera të ndaluara.

Ndërkohë, pasagjeri 19-vjeçar, që është pronari i makinës, nuk dispononte patentë. Dyshohet se të rinjtë po e shoqëronin Jennifer-in për ta kthyer në shtëpi, pasi ajo kishte dalë pa lejen e prindërve.

Ngjarja ka tronditur komunitetin në Lecco. Të shtunën, qindra njerëz u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit 13-vjeçares, duke shprehur ngushëllime për familjen e saj dhe duke kërkuar drejtësi për jetën e humbur në mënyrë tragjike.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të vendosur përgjegjësinë ndaj të përfshirëve.