Shkurtime të mëdha kanë prekur Zërin e Amerikës dhe disa media të tjera të financuara nga qeveria amerikane, vetëm një ditë pasi presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për reduktimin e operacioneve të agjencive mediatike federale.
Sipas burimeve nga Reuters, dhjetëra punonjës të Zërit të Amerikës kanë marrë një email këtë të shtunë, duke u kërkuar të mos paraqiten në punë, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i të prekurve.
Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM) ka ndërprerë gjithashtu fondet për Radion Evropa e Lirë, e cila operon në Evropën Lindore, si dhe për Radion Azia e Lirë, që transmeton në Kinë dhe Korenë e Veriut.
Urdhri i Trump udhëzon USAGM dhe gjashtë agjenci të tjera federale që të reduktojnë operacionet e tyre në minimumin e mandatuar nga ligji, duke argumentuar se masa është e nevojshme për tkurrjen e burokracisë.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump u përplas shpesh me Zërin e Amerikës, duke e akuzuar atë për anësi kundër konservatorëve. Për mandatin e tij të dytë, ai ka emëruar Kari Lake, një ish-spikere lajmesh dhe mbështetëse e tij e vendosur, si drejtuese të Zërit të Amerikës.
Vendimi ka shkaktuar reagime të ashpra. Mike Balsamo, presidenti i Klubit Kombëtar të Shtypit në Uashington, e cilësoi masën si një goditje ndaj gazetarisë së pavarur, ndërsa organizata Reporterët pa Kufij tha se kjo masë kërcënon lirinë e shtypit në mbarë botën.
Muajin e kaluar, miliarderi Elon Musk mbështeti mbylljen e Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë, duke argumentuar se ato nuk duhet të financohen nga paratë e taksapaguesve.