Shkrumbohet nga flakët një dyqan në Gjirokastër, zjarri rrezikoi pallatin

Një pallat është rrezikuar nga zjarri pasi flakët përfshinë rreth orës 2 të mëngjesit orenditë në një nga apartamentet e katit të parë të ndërtesës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër .

Ambienti ku shpërtheu zjarri ishte përshtatur si njësi shitjeje dhe ishte i mbyllur. Zjarri u vu re pasi tymi filloi të përhapej në të gjithë pallatin ndërsa banorët ishin në gjumë.

Ndërhyrja e zjarrfikëseve ka izoluar flakët dhe zjarri u shua në kohë para se të përfshinte apartamente të tjera.

Dyshimet për shkakun e zjarrit lidhen me një shkëndijë elektrike në rrjetin e instalimeve të katit të parë.