Shkrumbohet nga flakët banesa në Maliq, nuk ka të lënduar

Zjarri ka përfshirë një banesë në fshatin Strelcë të njësisë administrative Moglicë, në bashkinë Maliq. Ngjarja ndodhi mesditën e sotme, ku për shkak të terrenit të vështirë dhe largësisë së zonës, forcat zjarrfikëse patën vështirësi në mbërritje. Megjithatë, ata arritën të ndërhyjnë në kohë për të shmangur përhapjen e flakëve në një tjetër banesë aty pranë.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, pasi banorët kanë mundur të dalin në kohë nga shtëpia e përfshirë nga zjarri. Banesa është shkrumbuar totalisht, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit, që deri tani mbeten të paqarta.