“Shkrumb e hi”/ Dalin pamjet e automjetit që dyshohet se përdorën autorët për vrasjen e Klaudio Prendit

Këto janë pamjet nga automjeti i djegur gjetur në Uzinën e Autotraktorëve.

Mjeti tip “Audi A4” dyshohet të jetë përdorur nga autorët e vrasjes së Klaudio Prendit. Automjeti u gjet duke u djegur rreth orës 1:30 pas mesnate në një rrugë të amortizuar në Uzinën Autotraktore.

Dyshohet se ky mjet u përdor nga autorët e vrasjes së 28-vjeçarit Klaudio Prendi, pak pas mesnatës së kaluar në zonën e Xhamllikut në Tiranë. 28 vjeçari është djali i ish gjyqtarit Fran Prendi, i cili dha dorëheqjen nga Gjykata e Posaçme në 2020.

Sipas informacioneve, i riu ka qenë duke hyrë në automjetin e tij tip G Class ngjyrë gri kur është qëlluar disa herë, ku ka marrë plumba në kokë, gjoks dhe krahë.

”Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko” , dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”. Një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar’‘, njoftoi policia.