“Shkova shumë larg”/ Elon Musk pendohet për fjalët kundër presidentit Trump pas përplasjes publike
Elon Musk ka pranuar publikisht se ka gabuar me komentet e tij ndaj presidentit amerikan Donald Trump, pas një përplasjeje të ashpër verbale që ndodhi më 5 qershor. Në një postim në platformën X (ish-Twitter), të cilën ai e zotëron, Musk shkroi se kishte “shkuar shumë larg” me deklaratat e tij, duke shprehur keqardhje për mënyrën se si u shpreh ndaj presidentit.
Përplasja mes dy figurave të njohura erdhi pasi Elon Musk sugjeroi se presidenti Trump nuk do t’i kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 pa mbështetjen e tij. Kjo deklaratë nxiti një reagim të menjëhershëm nga Trump, i cili e kritikoi publikisht performancën e kompanisë Tesla, ndërsa nënkuptoi se gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, Musk kishte qenë i rraskapitur dhe emocionalisht i paqëndrueshëm.
Pas këtij shkëmbimi tensionesh në publik, Elon Musk ka sinjalizuar një përpjekje për të ulur tonet dhe për të rigjetur një ekuilibër në marrëdhënien e tij me presidentin Trump. Ai ka shpërndarë në profilin e tij deklarata të vetë Trump dhe zëvendëspresidentit të tij JD Vance lidhur me trazirat e fundit në Los Angeles, duke dhënë mesazhe që mund të interpretohen si një gjest afrimi.