Shkoi në ekskursion në Voskopojë/ Adoleshentja nga Durrësi vdiq nga meningjiti akut, shokët e klasës po vaksionohen

Instituti i Shëndetit Publik e ka konfirmuar se vdekja e 17-vjeçares Noela Caka nga Durrësi ka ndodhur si pasojë e një infektimi me virusin e meningitit. Simptomat i janë shfaqur menjëherë, pak ditë pas një udhëtimi që ka pasur me shokët e klasës në Voskopojë. Në gjendje të rëndëuar shëndetësore, ajo është dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit nga familjarët. Atje ka shfaqur dhimbje të forta koke dhe temperaturë të lartë. Duke qenë se gjendja e saj shëndetësore nisi që të përkeqësohej, është dërguar në shërbimin e Infektivit të QSUT, ku ka ndërruar dhe jetë.

Në një intervistë për “Report Tv”, Donika Mema Bardhi epidemiologe tek Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) zbulon detaje të hetimit epidemiologjik. Sipas saj, adoleshentja më 14 dhjetor kishte shkuar me shokët në Voskopojë dhe vetëm pasi ëshët kthyer në shtëpi, ka nisur që të ketë simptoma.

Si u zbulua rasti?

“Një vajza 17 vjeçe nga rrethi i Durrësit është paraqitur në spitalin e Durrësit duke u gdhirë data 15 dhjetor me shenjat e dyshuar meningit. Vajza ka qenë në Voskopojë në eskursion me klasën. Është kthyer dy ditë më pas, pra të mërkurën, 11 dhjetor, ka pasur gjendje virale, e cila sipas referimit të prindërve i ka kaluar shpejt. Të enjten ka qenë mirë deri të premten. Të shtunën ka ndodhur dhimbja e kokës në mënyrë të menjëhershme. Mjekët në urgjencë sigurisht e kanë vlerësuar rastin. Kanë bërë ekzaminimet e nevojshme. Kanë pyetur prindërit se kur i kanë nisur shenjat vajzës. Ata referojnë se shenjat kanë nisur menjëherë. Dhimbje koke shumë të fortë, të vjedha dhe menjëherë është paraqitur në urgjencën e spitalit. Mjekët duke bërë gamën e të gjitha analizave, laboratorike e ekzaminimin imazherik kanë vlerësuar që rasti është i dyshuar për meningit, sepse të vlerësohet meningit duhen analiza specifike. Menjëherë rasti është transferuar në urgjencën e spitalit infektiv. Në momentin që ka mbërritur në spitalin infektiv është bërë sërish rivlerësim. Janë bërë analiza të tjera specifike. Janë bërë analiza biokimike dhe e lëngut cerebrospinal, ku ka rezultuar me një gleukocitozë shumë të lartë, fibriogjen shumë të ulët. Ajo që I ka vënë diagnozën është lëngu cerebrospinal që ka dalë me qeliza shumë të larta.”

Por e ndjera mund të mos jetë i vetmi person i infektuar nga bakteri, ndaj edhe ka nisur një hetim epidemiologjik për të, që nga familjarët deri tek shokët e klasës që ishin me të në udhëtim. Madje, janë testuar edhe bluzat e bardha që i shërbyen në spital. Deri tani konstatohet se nuk janë prekur as familjarët, e as ekipi mjekësor, por shokët e shoqët e saj të ngushtë u vaksinuan për të parandaluar çdo ngjarje të mundshme.

“Ka nisur hetimin epidemiologjik duke nisur nga ecuria që ka pasur pacientja e deri tani. Është bërë kontrolli në vendin ku ka qenë goca, dhe kontaktet janë shumë ok. Janë kontrolluar dhe familjarët dhe prindërit e motrat e veta, apo njerëzit e tjerë që ka. Është kontrolluar dhe personeli shëndetësor që i ka shërbyer pacientes, dhe në spitalin infektiv e deri tani nuk kemi asnjë problem. Është marrë profilaksia për të gjitha personat që flasim. Nuk ka raste të tjera të evidentuara. Familjarët e saj dhe ekipi mjekësor po trajtohen me profilaktit,“- tha Donika Mema Bardhi.

Cilat janë shenjat e meningjitit?

Meningjiti është një infeksion i membranave mbrojtëse që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore (meningat). Mund të prekë këdo, por është më e zakonshme tek foshnjat, fëmijët e vegjël, adoleshentët dhe të rriturit e rinj. Meningjiti mund të jetë shumë serioz nëse nuk trajtohet shpejt. Mund të shkaktojë pasoja kërcënuese për jetën dhe të rezultojë në dëmtim të përhershëm të trurit ose nervave.

Simptomat e meningjitit

Simptomat e meningjitit zhvillohen papritur dhe mund të përfshijnë: temperaturë e lartë (ethe); një dhimbje koke; një qafë të ngurtë; përgjumje ose mosreagim; konvulsione (kriza). Këto simptoma mund të shfaqen në çdo mënyrë dhe jo gjithmonë shfaqen të gjitha simptomat.

Si përhapet meningjiti?

Meningjiti zakonisht shkaktohet nga një infeksion bakterial ose viral. Meningjiti bakterial është më i rrallë, por më serioz se meningjiti viral. Infeksionet që shkaktojnë meningjitin mund të përhapen përmes: teshtitjes; kollitjes; apo edhe duke u puthur. Meningjiti zakonisht përhapet nga njerëzit që i mbajnë këto viruse ose baktere në hundë ose në fyt, por nuk janë vetë të sëmurë. Mund të përhapet edhe nga dikush me meningjit, por kjo është më pak e zakonshme.

Meningjiti viral zakonisht përmirësohet vetë dhe rrallë shkakton ndonjë problem afatgjatë. Shumica e njerëzve me meningjit bakterial që trajtohen shpejt shërohen gjithashtu, megjithëse disa mbeten me probleme serioze afatgjata.

Këto mund të përfshijnë:humbje dëgjimi ose humbje e shikimit, e cila mund të jetë e pjesshme ose e plotë; probleme me kujtesën dhe përqendrimin; konvulsione të përsëritura (epilepsi); probleme me koordinimin, por ndonjëherë është i nevojshëm edhe amputimi i gjymtyrëve të prekura. Në përgjithësi, vlerësohet se deri në 1 në çdo 10 raste të meningjitit bakterial është fatal për jetën. E mesa duket, fatkeqësisht ky ka qenë rasti i adoleshentes nga Durrësi.