Shkodra mbetet bastion i PD, Bardh Spahia hyn në Kuvend me mbi 8 mijë vota, PS humb Edona Bilalin, PSD siguron dy mandate

Qarku i Shkodrës konfirmon dominimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, duke siguruar 5 mandate dhe duke e mbajtur bastionin tradicional të së djathtës. Deputetët e ardhshëm të PD-së nga ky qark janë Luciano Boçi, Kliti Hoti, Greta Bardeli, Ramadan Likaj dhe Bardh Spahia, i cili ka siguruar mandatin falë 8278 votave preferenciale, duke kaluar kandidatë të listës së mbyllur.

Partia Socialiste, e renditur si forca e dytë në Shkodër, do të ketë 4 përfaqësues në Kuvend, të cilët janë Marjana Koceku, Onid Bejleri, Xhenis Cela dhe Bujar Rexha. Ndërkohë, kandidatja e listës së hapur Edona Bilali dhe Shkëlqim Sterkaj nuk arritën të siguronin mandate pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme nga votat preferenciale.

Forca e tretë në këtë qark është Partia Socialdemokrate, e cila ka siguruar dy mandate, duke çuar në Kuvend liderin e saj, Tom Doshi, dhe Sabina Jorgon.