“Shkodra, kryeqyteti i veriut”, Rama: Ky qytet ka hyrë në një fazë të re, transformimi nisi me 30 vite vonesë

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Shkodër projektet për rindërtimin e “Muzeut të Kujtesës” dhe hapësirën përreth Xhamisë së Madhe, të cilat, sipas tij, do të sjellin një transformim të rëndësishëm për qytetin. Rama e quajti Shkodrën “kryeqyteti i Veriut” dhe theksoi se ky proces i vonuar tashmë po merr hov.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për barrën financiare që kanë këto investime, por me patjetër që do t’i financojmë. Do bashkëpunojmë me komunitetin mysliman dhe të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e kësaj nisme,” u shpreh kryeministri.

Rama deklaroi se ky transformim ka nisur me 30 vite vonesë, por tashmë është e dukshme që Shkodra ka hyrë në një fazë të re zhvillimi.

“Do të bëjmë edhe projekte të tjera në mënyrë që kryeqytetit të Veriut t’i japim të gjithë rëndësinë dhe mbështetjen e nevojshme për zhvillimin ekonomik,” tha ai.

Projektet transformuese për Shkodrën
Kreu i qeverisë përmendi transformimin e Parkut të mbyllur të Xhamisë së Madhe, i cili do të kthehet në një hapësirë publike për komunitetin dhe do të shërbejë si pikë takimi për të gjitha moshat.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë që do të ketë “Muzeu i Kujtesës” për promovimin ndërkombëtar të Shkodrës, duke e krahasuar atë me projektet si Bunkart dhe Muzeu i Gjethit, të cilat kanë krijuar impakt të madh në rritjen e turizmit kulturor.

“Shkodrës do t’i bëhet një promovim i mëtejshëm ndërkombëtar, duke tërhequr më shumë turistë dhe të ardhura, që do të sjellin edhe më tepër dije për qytetin,” shtoi Rama.

Ai premtoi se këto investime do të realizohen me cilësi të lartë, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetin vendas dhe zhvillimin ekonomik të zonës.