Shkodra i përgjigjet urdhërit, dorëhiqen drejtuesit e njësive administrative

Në një njoftim zyrtar të publikuar sot nga Bashkia Shkodër, është bërë me dije se të gjithë administratorët e njësive administrative të këtij qyteti kanë paraqitur dorëheqjet e tyre nga detyra.

“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se të gjithë administratorët e njësive administrative në Bashkinë Shkodër kanë paraqitur dorëheqjen nga pozicionet e tyre pranë institucionit të Bashkisë,” thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Vendimi vjen pak ditë pasi kryeministri Edi Rama kërkoi largimin nga detyra të të gjithë përgjegjësve për “katrahurên” me zënien e hapësirave publike.

Mes të larguarve është edhe administratori i Shalës, që përfshin edhe Thethin, aty ku u bënë shkatërrimet e ndërtimeve.

Ndërkohë, i vetmi socialist që kundërshtoi Ramën ishte ai i Vau Dejësit, ku Kristian Shkreli nuk ka bërë asnjë ndryshim në bashki. Ndryshe nga kolegu i tij në Malësinë e Madhe, ku Tonin Marinaj ka shkarkuar dy nënkryetarë dhe 5 administratorë.

Shkarkime nuk kanë bërë as kryebashkiakët e Pukës dhe Fushë-Arrëzit, që janë nën siglën e Partisë Demokratike.