Shkodra drejt transformimit! 50 milionë euro për infrastrukturë dhe turizëm të qëndrueshëm

Qeveria Shqiptare ka planifikuar të marrë një kredi prej 50 milionë eurosh nga Banka Europiane e Investimeve për projekte që do të zbatohen në rajonin e veriut, ku përfituese është Bashkia Shkodër. Projekti konkret u prezantua në Shkodër me prezencën e përfaqësuesve të lartë të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe drejtuesve të Bankës, gjatë prezantimit të planit të qëndrueshëm të lëvizshmërisë. Në këtë takim, bashkëorganizuar nga Bashkia Shkodër, kryebashkiaku Benet Beci theksoi rëndësinë e këtij plani, i cili është hartuar në përputhje me udhëzimet evropiane për Shkodrën dhe Velipojën, si dhe projektin e rrugës së biçikletave përgjatë liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna.

Drejtori i Projekteve pranë delegacionit të BE në Shqipëri, Hubert Perr, dhe përfaqësuesi i Bankës Europiane për Zhvillim, Miguel de Santos Dias, theksuan se ky është një moment kyç dhe një projekt konkret për veriun e vendit, me investime të prekshme që arrijnë në vlerën e 50 milionë eurove si investime kapitale për banorët e këtij rajoni.

Hubert Perr shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë e vizitës në Shkodër dhe për projektet që janë të lidhura me transformimin e qytetit dhe rajonit. Ai foli për rëndësinë e mobilitetit urban dhe lidhshmërinë, veçanërisht në zhvillimin e infrastrukturës, duke përmendur projektet e lidhjes së Shkodrës me Malin e Zi dhe zhvillimin e Kështjellës Rozafa. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e shtigjeve për biçikleta dhe mundësitë për turizëm të qëndrueshëm, duke pasur parasysh potencialin e Shkodrës si një destinacion turistik.

Miguel de Santos Dias theksoi se projekti përfshin gjithashtu tre bashki, Bashkinë e Shkodrës, Malësinë, Matin dhe Leshën, të cilat do të jenë gjithashtu përfituese të këtij projekti. Ai shtoi se janë duke shqyrtuar mundësinë e ofrimit të 50 milionë eurove për këtë projekt dhe u shpreh i kënaqur me përgatitjet deri tani, duke theksuar se banorët do ta shohin këtë si një mundësi të madhe për zhvillim dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Plani i Qëndrueshëm i Lëvizshmërisë Urbane dhe rruga e biçikletave janë projekte që do ta transformojnë Shkodrën në një qytet më të qetë, më të pastër dhe më të përshtatshëm për banorët dhe vizitorët. Me mbështetjen e institucioneve evropiane dhe ekspertëve ndërkombëtarë, Shkodra po ndërton një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj. Ky plan përfshin zhvillime madhore infrastrukturore, si ndërtimi i Autostradës Adriatiko-Joniane, rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë-Shkodër-Hani i Hotit dhe ndërlidhja e Shkodrës me Kosovën përmes linjës hekurudhore Shkodër-Gjakovë.

Një tjetër projekt madhor është ndërtimi i një itinerari të dedikuar për biçikletat përgjatë bregut lindor të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna. Ky rrjet do të lidhë Shkodrën me Malësinë e Madhe, Velipojën, Ulqinin dhe Shëngjinin, duke krijuar një nga korridoret më të bukura për çiklizmin në rajon. Bashkia e Shkodrës dhe Malësia e Madhe po bashkëpunojnë ngushtë për të finalizuar këtë projekt, i cili do të ofrojë një përvojë të veçantë për turistët dhe do të promovojë turizmin e qëndrueshëm në rajon.