Shkodër/ Vodhën çantën e një klienti në berberhane, arrestohet një 20-vjeçar dhe dy të mitur

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga tre persona, të dyshuar për vjedhjen e një çante me para dhe sende personale në një berberhane në lagjen “Perash”.

Ngjarja ndodhi pasi pronari i berberhanes bëri kallëzim në polici, duke raportuar se tre persona kishin vjedhur çantën e një klienti. Pas veprimeve hetimore dhe identifikimit të autorëve, uniformat blu finalizuan operacionin “Door”, duke arrestuar shtetasin K. P., 20 vjeç, si dhe dy 17-vjeçarë.

Ndaj të arrestuarve rëndon akuza për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ata kanë kryer vjedhje të tjera.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.