Shkodër, demokratët humbasin 10 mijë vota krahasuar me 2021, socialistët rriten me 4 mijë vota për 4 mandate
Në qarkun e Shkodrës, demokratët siguruan fitoren në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, por me 10 mijë vota më pak se në vitin 2021. Sipas rezultateve paraprake, ata morën 37.006 vota dhe dërguan në Parlament 5 deputetë: Luciano Boçin, Greta Bardelin, Ramadan Likën dhe Kliti Hotin, ndërsa në garën e hapur për deputet, Bardh Spahia siguroi mandatin e tij me 9.414 vota, duke lënë pas rivalin Tedi Kopliku.
Ndërkohë, Partia Socialiste, pavarësisht humbjes së Bashkisë Shkodër që e kishte fituar dy vite më parë me Benet Beci, arriti të sigurojë 34.756 vota, rreth 4 mijë më shumë se në zgjedhjet e kaluara, duke fituar 4 mandate për Marjana Koçekun, Onid Bejlerin, Xhenis Çelen dhe Bujar Rexhën.
Partia Socialdemokrate e Tom Doshit, që mbetet forca e tretë në qark, ruajti peshën elektorale të katër viteve më parë, duke marrë 16 mijë vota dhe dy mandate.
Edhe pse ende nuk janë numëruar rreth 10% e zarfeve të votave të diasporës, ky konfigurim mandatesh duket tashmë i konsoliduar, me 5 mandate për demokratët, 4 për socialistët dhe 2 për socialdemokratët.