Shkodër, asgjësohen 6032 bimë dhe fidanë kanabisi, nën hetim kryetari i fshatit Iballë

Në Shkodër janë asgjësuar 6032 bimë dhe fidanë kanabisi.

Sipas Policisë, nën hetim janë vënë 2 autorët që kultivuan 280 bimë kanabis në fshatin Mëlgushë, Vau i Dejës.

Njoftimi i Policisë:

Qarku Shkodër/Vijon megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër”.

Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, gjenden dhe asgjësohen 6032 bimë dhe fidanë narkotike cannabis sativa.

-Procedohen penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryetari i njësisë administrative Iballë, specialisti i pyjeve dhe kryeplaku i fshatit Iballë, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në këtë fshat.

-Identifikohen dhe procedohen penalisht 2 autorë të dyshuar për kultivimin e 280 bimëve cannabis që u gjetën në fshatin Mëlgushë, Vau i Dejës.

Në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie kriminale.

Në fshatin Iballë, Fushë Arrëz, u gjetën 4520 bimë narkotike cannabis. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit: A. Z., kryetari i njësisë administrative Iballë, I. B., specialisti i pyjeve dhe D. P., kryetari i fshatit Iballë.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, në fshatin Mëlgushë, Vau i Dejës, në tokën e shtetases V. L., u gjetën 280 bimë narkotike cannabis. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, për shtetasit: V. L., 47 vjeçe dhe J. M., 32 vjeç.

Gjithashtu në njësin administrative Pult, në fshatin Pog, u gjetën 1232 fidanë cannabisi.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.