Shkodër/ Arrestohen dy persona për vrasjen e 33-vjeçarit në Dragoç, Drejtori i Policisë Shkodër zbardh ngjarjen
Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Profili i rremë”, duke zbardhur vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj, 33 vjeç, ndodhur më 5 janar 2025 në fshatin Dragoç. Dy persona janë arrestuar si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë Vendore të Shkodrës, Fatmir Lleshaj, bëri të ditur se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, ka organizuar dhe kryer vrasjen për motive të dobëta. Përmes profileve të rreme në rrjetet sociale, ai kishte krijuar kontakte me viktimën për ta nxjerrë në pritë. Hetimet gjithashtu kanë zbuluar se konflikti kishte lidhje me ndikimin e viktimës në prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit.
Gjithashtu, vëllai i tij, Klisman Hasaj, është akuzuar për ndihmë në sigurimin e kushteve për kryerjen e krimit dhe fshehjen e armës. Arma e krimit, e përdorur për të kryer vrasjen, u gjet e groposur në oborrin e banesës së dy vëllezërve pas kontrolleve intensive nga Policia.
Arrestimet:
•Arjon Hasaj akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.
•Klisman Hasaj akuzohet për “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Operacioni ka rezultuar i suksesshëm falë bashkëpunimit mes Policisë Vendore, Prokurorisë së Shkodrës dhe njësive të specializuara, si dhe mbështetjes së qytetarëve, të cilët ofruan informacione të vlefshme.
Policia e Shkodrës vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa drejtori i Policisë apeloi për besim dhe bashkëpunim të qytetarëve për të parandaluar ngjarje të tjera kriminale dhe për të garantuar sigurinë në qark.