“Shko bëj një fëmijë, ose birësoje”/ Kaos në parlamentin grek pas deklaratës së deputetit të Mitsotakis!

Një incident i rëndë ka shkaktuar kaos në Parlamentin grek, pasi deputeti i Demokracisë së Re, Dimitris Kyriazidis, ofendoi gjatë një debati kryetaren e partisë Kursi i Lirisë, Zoe Konstantopoulou.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Kyriazidis, një ish-oficer policie, i bërtiti asaj duke thënë: “Shko, bëj një fëmijë, ose birësoje”, deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta në politikën greke.

Sipas televizionit shtetëror ERT, kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka kërkuar nga kryetari i parlamentit që t’i japë ultimatum deputetit të kërkojë falje, ose përndryshe do të përjashtohet nga partia.

Opozita ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga deputeti i Demokracisë së Re. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste PASOK, Pavlos Geroulanos, tha se refuzimi i Kyriazidis për të kërkuar falje e bën situatën edhe më fyese.

Ndërsa deputeti i SYRIZA, Nikos Pappas, bëri thirrje për një dënim të qartë nga gjithë parlamenti.

Ky incident vjen në një moment kur qeveria e Mitsotakis po përballet me presion në rritje, sidomos për trajtimin e katastrofës hekurudhore në Tempi, ku humbën jetën 57 persona, më shumë se dy vjet më parë.