Shkeli sigurinë ujore në Palasë, gjobë 100 mijë lekë drejtuesit të gomones. Bllokohet mjeti lundrues

Drejtuesi i një mjeti lundrues gomone, që shkeli perimetrin e sigurisë ujore në Palasë, u gjobit me 100 mijë lekë, ndërsa mjeti iu bllokua nga Policia.

Sipas një njoftimi zyrtar,shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e Palasës, duke bërë bllokimin e një mjeti lundrues gomone që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Shërbimet e Policisë ndëshkuan drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin K. M, me masën administrative 100 000 lekë të rinj si dhe bllokuan mjetin lundrues gomone në Portin Himarë.