Shkatërrohet “banda e skifterëve” në Shijak, vidhnin automjete dhe banesa! Arrestohen 4 persona, një tjetër në kërkim

Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Theft network”, duke shkatërruar një grup kriminal të specializuar në vjedhje automjetesh, mjetesh lundruese dhe banesash në qarkun e Durrësit dhe Tiranës.

Si rezultat i hetimeve, katër persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Të ndaluarit janë:
• D.S., 26 vjeç, banues në Marikaj
• D.M., 18 vjeç, banues në Shkodër
• E.M., 38 vjeç, banues në Mamurras
• A.L., 48 vjeç, banues në Mamurras

Ndërkohë, E.Z., 49 vjeç, banues në Tiranë, është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Hetimet zbuluan dhe dokumentuan katër vjedhje të kryera nga grupi kriminal, përfshirë:
• Vjedhjen e një skafi në Sukth
• Vjedhjen në një tabakino në fshatin Bilalas
• Vjedhjen e dy automjeteve (furgon dhe kamionçinë) në Mullet, Tiranë, më 13 shkurt 2025

Gjatë operacionit u sekuestruan si prova materiale një skaf, një kamionçinë, rrobat e përdorura nga autorët gjatë vjedhjeve dhe katër celularë.

Të arrestuarit do të përballen me akuzën e “Vjedhjes” e kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e rasteve të tjera ku mund të jenë përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit.