Nga reagimi dhe protesta e prindërve erdhi edhe lëvizja e parë. U shkarkua zv/ministrja e ngarkuar për arsimin parauniversitar.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është vendosur shkarkimi nga detyra i zv/ministres së Arsimit dhe Sportit, Nina Guga.
Kështu, me vendim të qeverisë Orjana Osmani emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit. Osmani, do të zëvendësojë në detyrë Nina Gugën, teksa vendimi hyn në fuqi menjëherë.
DEKLARATA E PLOTE E KOMUNITETIT TE PRINDERVE:
Ne si komunitet prindërish nuk kërkojmë shkarkime pa lidhje, apo “kurbane”, për të na hedhur hi sysh se po reagoni.
Këtë ‘inat’ të prindërve dhe këto protesta i prodhoi ngjarja në shkollën “Fan Noli”,
e prodhoi heshtja institucionale, dhe shfajësimi se ndodhi në rrugë dhe jo në shkollë, gjuha dhe ngerdheshjet, kur ende nuk ishte tharë gjaku i një fëmije.
Po, e prodhoi qëndrimi yt zonja ministre e arsimit, Ogerta Manastirliu.
Edhe pse ti u fshehe një muaj të plotë, me takime fasadë, (1200 takime me 61 mijë prindër) por ama nuk kishe takuar dy më të rëndësishmit, prindërit e Martinit.
Ata, bashkë me ne të erdhem poshtë zyrës tuaj sot, pikërisht një muaj nga vrasja, dhe kërkuam DREJTËSI PËR MARTININ, dhe dorëheqje për çdo person përgjegjës duke nisur nga shkolla deri te ju. Dhe ju lëshuat zv/ministren.
Por ne nuk ndalemi dhe nuk mjaftohemi me kaq. Ndaj po u përsërisim kërkesat tona:
1. Çdo shkollë duhet të ketë psikolog dhe punonjës social (1 psikolog për 200 nxënës).
2. Paisja e çdo shkolle 9-vjeçare dhe gjimnazi me një oficer sigurie. Ka nisur një reagim, janë hapur thirrje për punësime të reja. Por ne s’duam rrogëtarë që ti shfrytëzoni ju për vota e për zgjedhje, ne duam persona të specializuar për punë me fëmijë, që prioritet të kenë sigurinë e fëmijëve tanë, dhe jo të mbyllin çështjet pa njoftuar prindërit, si u bë në shkollën “Fan Noli”.
3. Zgjatja e shkollës deri në orën 16:00, pra 4 mbasdite. Kjo është dhe mbetet një nga kërkesat tona kryesore.
Fëmijët në shkollat e vendit, mbarojnë mësim shumë herët, klasa e parë e dytë në orën 11:30, klasat e tjera mbarojnë në 12:20 dhe, në rastet kur kanë gjashtë orë, mbarojnë në 13:15.
Zgjatja e shkollës deri në orën 16:00, do tu jepte mundësinë fëmijëve jo vetëm të konsumonin një vakt ushqimor, por të ndiqnin kurse pikture, arti, sporti, muzike etj, duke zbuluar talentet e tyre.
Ne si prindër kemi vite që jemi gati, por hasim në mungesë vullneti nga shteti dhe qeveritë.
4. Por kërkesat tona të më sipërme nuk mund të plotësohen pa buxhet.
Ndaj kërkojmë shtim të buxhetit për arsimin në 5% të GDP-së. Arsimi në vendin tonë, prej vitesh është lënë në mëshirë të fatit. Në momentin që arsimi nuk trajtohet me prioritet nga shteti, këto ngjarje janë thjesht efekte anësore. Por në nuk do tolerojmë që fëmijë tanë të vijojë të bëhen statistika të dështimit të këtij sistemi.
5. Ndalimi i gjuhës së urrejtjes dhe promovimit të dhunës në rrjete sociale.
DREJTËSI PËR MARTININ!
Siguri dhe arsim cilësor në shkolla.