Shkarkime pas skandalit në burgun e Drenovës: Lorent Nako rikthehet në drejtim, zbardhen shkeljet në qelitë e Laert Haxhiut
Një valë shkarkimesh dhe rikonstrukturimesh ka përfshirë burgun e sigurisë së lartë të Drenovës, pas një skandali të rëndë që lidhet me Laert Haxhiun, një prej kriminelëve më të rrezikshëm në vend, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Dy drejtues të këtij institucioni janë shkarkuar nga detyra, ndërsa kontrolle të brendshme kanë zbuluar shkelje flagrante të rregullave të sigurisë, që dyshohet se janë bërë me dijeni apo bashkëpunim të zyrtarëve.
Në krye të burgut është rikthyer Lorent Nako, i cili ishte shkarkuar në muajin shkurt 2024 dhe ishte zëvendësuar nga Fatjon Fasho, tashmë i shkarkuar dhe nën hetim. Ndërkohë, Artan Koçibelli është emëruar shef i policisë së burgut, në vend të Sokol Kaçolit, edhe ky i larguar dhe nën hetim penal.
Sipas raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Laert Haxhiu dhe bashkëpunëtorët Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi ishin lejuar të qëndronin në sektorin e sigurisë së lartë, në dhoma ngjitur me njëri-tjetrin, çka cenon standardet e ndarjes dhe kontrollit për të dënuarit e rrezikshëm.
Gjatë kontrollit të fundit në qelitë e tyre, u sekuestruan:
-4 telefona celularë (iPhone dhe Samsung)
-Karikues dhe kufje bluetooth
-Dëshmi për kontakte të ndaluara dhe privilegje të paligjshme
Po ashtu, dyshohet se në ambientet e burgut futeshin femra për “shërbime personale” ndaj Haxhiut.
Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës në 2017, është aktualisht nën hetim për një sërë krimesh të rënda në Shqipëri dhe Greqi, të zbuluara pas dëshmive të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan (Marjus) Tafani. Ai dyshohet se ka urdhëruar ose organizuar:
-Vrasjen e Lulzim Qorrit – 12 dhjetor 2018, Athinë
-Vrasjen e Fridmand Xhaferrajt – 13 maj 2021, Korçë
-Vrasjen e Çajup Selimit – 1 qershor 2021, Tepelenë
-Vrasjen e Dikens Halilit – 3 tetor 2021, Athinë
-Vrasjen e Alban Semakut – 17 tetor 2021, Peqin
-Vrasjen e Albi Bashaliut – 27 dhjetor 2021, Elbasan
Gjithashtu ai është i dyshuar për atentate me tritol, tentativa vrasjeje dhe gjobvënie, duke e shndërruar burgun në një bazë veprimesh kriminale në distancë.