Një 36-vjeçar me iniciale M.N. është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se rekrutonte dhe shfrytëzonte shtetase të huaja për prostitucion, përmes faqeve online. Sipas hetimeve, 36-vjeçari kishte përfituar rreth 200,000 euro nga kjo veprimtari gjatë një viti.
Operacioni policor i koduar “Escort 1” u zhvillua nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM). Gjatë këtij operacioni janë proceduar penalisht edhe 16 shtetase braziliane dhe kolumbiane, të cilat ushtronin prostitucion në ambiente të marra me qira për periudha të shkurtra.
Policia ka sekuestruar 7,000 euro cash dhe 6 aparate celularë si prova të veprimtarisë së paligjshme. Dyshohet se 36-vjeçari bashkëpunonte me shtetas të huaj për të sjellë në Shqipëri vajza nga Kolumbia dhe Brazili, të cilat më pas rekrutoheshin për qëllime shfrytëzimi seksual. Ambientet ku zhvillohej kjo veprimtari siguroheshin përmes agjencive të ndryshme që ofronin shtëpi me qira ditore.
Policia njofton se vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e 36-vjeçarit, ndërsa materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për hetime të mëtejshme.