Shfrytëzonin 10-vjeçarin për përfitime në TikTok! Gjyshja dhe babai dënohen me burg, i hiqet prindërimi Armando Kumarakut

Gjykata e Beratit ka dhënë vendimin për rastin tronditës të shfrytëzimit të një të mituri në rrjetin social TikTok, ku janë dënuar me burg gjyshja dhe babai i fëmijës. Natasha Rombula dhe djali i saj, Armando Kumaraku, janë shpallur fajtorë për keqtrajtimin e djalit 10-vjeçar dhe përdorimin e tij në video fyese me qëllim përfitimi financiar.

Sipas burimeve zyrtare, Armando Kumaraku është dënuar me 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa nëna e tij, Natasha Rombula, me 2 vite e 3 muaj burg. Gjyqtarja Lumturi Zhupa, përveç dënimit me burg, ka pranuar edhe kërkesën e prokurorisë për një masë shtesë ndëshkimi, duke i hequr Kumarakut të drejtën e prindërimit ndaj fëmijës së tij.

Ngjarja u bë publike pas një kallëzimi nga ish-bashkëshortja e Kumarakut, e cila solli në vëmendjen e autoriteteve disa video të postuara në TikTok, ku fëmija shfaqej duke përdorur fjalor të pahijshëm, nën drejtimin e babait dhe gjyshes.

Hetimet zbuluan se videot ishin realizuar dhe shpërndarë me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve dhe dhuratave monetare që jep përdoruesi i rrjetit TikTok.

Prokuroria akuzoi dy të arrestuarit për veprën penale të “Keqtrajtimit të të miturit”, kryer në bashkëpunim.