Sherri në servis në Kavajë, përfshihet nipi i ish-kryebashkiakut– Policia: Konflikt me leva dhe zinxhirë…

Një përplasje fizike e shoqëruar me dhunë dhe sende të forta është regjistruar dy ditë më parë në qytetin e Kavajës, ku protagonistë të një sherri brutal rezultojnë të jenë shtatë të rinj, mes tyre edhe nipi i ish-kryebashkiakut Redjan Krali, 18-vjeçari Xhorxho Krali. Ngjarja ndodhi më 8 prill, rreth orës 11:00, në një servis makinash në lagjen nr. 4, në pronësi të shtetasit Biliman Habili.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, sherri nisi për motive të dobëta, por degradoi në përplasje të dhunshme me leva dhe zinxhirë, duke lënë disa të lënduar që përfunduan në spital. Nga hetimet paraprake, mësohet se një prej të rinjve, Manuel Tosku, ka dëmtuar një automjet gjatë sherrit, për çka është proceduar për “plagosje e lehtë me dashje” dhe “dëmtime të tjera me dashje”.

Ndërkohë, edhe nipi i ish-kryebashkiakut të Kavajës, Xhorxho Krali, është vënë nën hetim për të njëjtën vepër penale, si dhe për “kanosje”. Një dëshmitar ka deklaruar se Krali dyshohet se ka nxjerrë armë gjatë përplasjes, por kontrollet në servis dhe në banesat e të dyshuarve nuk kanë zbuluar sende të paligjshme.

Përveç Toskut dhe Kralit, të proceduar janë edhe Eljo, Eriko dhe Biliman Habili si dhe Fatjon Kalaja. Të gjithë po hetohen për “plagosje të lehtë me dashje”. Ngjarja është nën hetim nga Prokuroria e Durrësit, ndërsa të rinjtë do të përballen me drejtësinë në ditët në vijim.

NJOFTIMI I POLICISË: 

Kavajë

Në lidhje me një postim në portalin “JOQ Albania”, për raportimin e një qytetari, mbi një konflikt mes disa shtetasve, të ndodhur më datë 08.04.2025, bëjmë me dije se:

Policia e Kavajës ka marrë njoftim për këtë konflikt, më datë 08.04.2025, dhe ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, brenda ditës, për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, më datë 08.04.2025, kanë referuan materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi penal për shtetasit:

M. T., 18 vjeç, banues në Kavajë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”;

Xh. K., 18 vjeç, banues në Kavajë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”;

E. H., 19 vjeç, E. H., 22 vjeç, B. H., 28 vjeç dhe F. K., 18 vjeç, të gjithë banues në Kavajë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se rreth orës 11:00 të datës 08.04.2025, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, në ambientet e servisit të automjeteve, të shtetasit B. H., në lagjen nr. 4. Gjatë konfliktit, shtetasi M. T. ka dëmtuar një automjet që ndodhej në këtë servis.

Gjatë kontrollit në ambientet e servisit dhe në banesat e shtetasve të përfshirë në konflikt nuk janë gjetur sende të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.