Sherri në Bulqizë pas takimit të PD, Xhelal Mziu kallëzim për zyrtarin e Bashkisë, materialet në SPAK
Deputeti i PD, Xhelal Mziu ka bërë kallëzim në Policinë e Bulqizës, pas sherrit në fshatin Ostren me zyrtarin e Bashkisë. Policia e Bulqizës njoftoi se ka referuar materialet në SPAK, për zyrtarin e bashkisë Bulqizë, Kalosh Murra për akuzën “Pengimi i subjekteve zgjedhore”.
Materialet janë referuar në SPAK një ditë më parë, me Mziun dhe nipin e tij, pas kallëzimit të Murrës, i cili thotë se kanë qëlluar me grushte.
Mziu pretendon se punonjësi i bashkisë ka intimiduar pjesëmarrësit ne takimin e PD-se duke i kërcënuar se do tu heqë ndihmën ekonomike.
Murra ka njoftuar babanë e kandidatit të PS të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj kryetarit të PD-së në Bulqizë, Shaqir Manjani. Kjo ngjarje, thotë deputeti po manipulohet nga policia, ndaj kërkon nga SPAK-u të sekuestrojë kamerat dhe të zbardhë të plotë rrethanat dhe shkaqet.
Po sipas Mziut policia nuk ka marrë denoncimin e demokratëve, pasi drejtori i policisë së Dibrës, Artion Duka ka lidhje familjare me Jeton Danin, babanë e kandidatin socialist për deputet, Murat Dani.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, për shtetasin K.M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, pasi ndaj tij me datë 25.04.2025, ka bërë kallëzim shtetasi Xh. M., 58 vjeç, banues në Tiranë, i cili pretendon se gjatë takimit elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, shtetasi K.M., indimidonte pjesëmarrësit në takim”, njoftoi Policia.