Sherri me armë në Institut/ Policia identifikon personat, një i arrestuar, 4 në kërkim

Në lidhje me sherrin e djeshëm në Institut Policia e Tiranës ka identifikuar 7 personat të përfshirë në konflikt.

Sipas njoftimit një person është arrestuar në flagrancë, 2 janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa janë shpallur në kërkim 4 të tjerë.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 3 automjete.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, dje, pas marrjes së njoftimit se në Institut, disa shtetas po konflikteshin dhe gjatë konfliktit ishte qëlluar me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të kryera në kuadër të operacionit “Fast reaction”, u identifikuan 7 shtetas shtetas të përfshirë në konflikt. Në vijim, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan në flagrancë shtetasin Y. C., 30 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. M. dhe M. S., për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”;
-shpallën në kërkim shtetasit S. Rr., 22 vjeç dhe E. Rr., 25 vjeç (vëllëzër) R. D., 18 vjeç dhe V. H., 27 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasit S. Rr. dhe E. Rr. kanë goditur me qytën e pistoletës shtetasit Y. C. dhe O. C. (vëllëzër) dhe më pas kanë qëlluar me armën e zjarrit në drejtim të tyre, pa i dëmtuar.

Vëllëzërit S. Rr. dhe E. Rr. dyshohet se janë ndihmuar nga shokë të tyre të identifikuar si R. D., V. H., M. M. dhe M. S., të cilët kanë goditur me grushte dhe me sende të forta shtetasin A. C., 38 vjeç, si dhe dyshohet se kanë kanosur me armë zjarri shtetasin A. H., 48 vjeç, të dy kushërinj të vëllëzërve Y. C. dhe O. C.

Punohet për kapjen e 4 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.