Sherr për pronat në Tushemisht, dhunohet kryeplaku i fshatit – përplasje mes banorëve dhe pronarit të një hoteli

Një përplasje fizike ka ndodhur në fshatin turistik Tushemisht të Pogradecit, ku është dhunuar kryeplaku i fshatit, Ilir Tasellari, pas një konflikti për hapësira publike.

Ngjarja ka ndodhur pranë parkut të mbrojtur të Drilonit, ku sipas denoncuesve, pronari i një hoteli në zonë, Jetmir Mucollari, ka zaptuar në mënyrë të paligjshme territor publik, përfshirë edhe një urë që lidh disa biznese private me rrugën kryesore. Burime nga vendngjarja raportojnë se ure është shembur qëllimisht për të penguar kalimin drejt pronave të tjera.

Forcat e bashkisë kanë mbërritur sot në zonë për të ndërhyrë dhe liruar hapësirat e zaptuara, por janë përballur me rezistencën e Mucollarit, i cili, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve filmike, ka ushtruar dhunë ndaj kryeplakut të fshatit. Në vendngjarje ndodheshin edhe shefi i urbanistikës së bashkisë, Paskalino Ziko, dhe shefi i policisë bashkiake, të cilët, sipas denoncuesve, nuk kanë reaguar për të ndaluar dhunën.

Në pamjet e bëra publike shihet qartë momenti i përplasjes, ndërkohë që qytetarët pretendojnë se problemi me zaptimin e hapësirave publike nga hoteli “Driloni” është denoncuar prej kohësh, por autoritetet kanë zgjedhur të mos veprojnë.

Ndërkohë, Policia e Pogradecit ka bërë të ditur se janë proceduar penalisht katër persona, mes tyre edhe kryeplaku i fshatit, për goditje me sende të forta pas konfliktit për motive pronësie. Të proceduarit janë: I. T., 53 vjeç, P. P., 35 vjeç, J. M., 26 vjeç, dhe J. M., 52 vjeç.