Sherr ne Kuvendin e Kosovës

Gjatë kohës sa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po mbante fjalim në foltoren e Kuvendit të Kosovës, është sulmuar fizikisht nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku dha Hajdar Beqa.Në foltoren e Kuvendit dhe në vendin ku ulet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti janë ngjitur pankarta në gjuhën serbe ku shkruhej “Zdravo”, që në shqip do të thotë “përshëndetje”. Ky akt simboli i PDK-së, vjen pas përgjimeve të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me nënkryetarin e Listës Srpska Slavko Simiç. Ajo u vendos sapo filloi seanca dhe e mori fjalën deputeti i VV-së Adnan Rrustemi.

Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “gënjeshtar”. Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi ai largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.

Pastaj, situata u agravua me sulme fizike edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Pas përleshjeve, transmetimi i drejtpërdrejt nga Kuvendi i Kosovës është ndërprerë. Opozita ditëve të fundit, sikurse edhe në këtë seancë, ka qenë kritikuese ndaj pushtetit pasi në mediat në Kosovë kanë dalë pergjime të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendoje, Mimoza Kusari-Lila, ku ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listes Serbe, Milan Radoiçiq.

Milan Radoiçiq është nënkryetari i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”. Ai po ashtu kërkohet nga Kosova për dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.