Sherr me thika në Sarandë! Plagosi 44-vjeçarin, vetëdorëzohet autori

Një sherr mes të rinjve ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë ku ka mbetur i plagosur Klodjan Basholli, 44 vjeç, banues në Shijan të Delvinës.

Basholli person me precedentë penalë, pas një konflikti me 26-vjeçarin Elvis Ndoji me banim në Sarandë, është plagosur me thikë nga ky i fundit. 44-vjeçari është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Sarandës për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë policia ka arritur të identifikojë autorin si dhe të negociojë që ai të vetëdorëzohet brenda pak orësh.

Ndoji rezulton një person i njohur për drejtësinë, ai u arrestua në tetor 2024 si autor i disa vjedhjeve. Gjatë arrestimit të tij atëherë, i’u gjet një thikë dhe një sopatë.

Edhe Klodjan Basholli rezulton i dënuar më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet e 4 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge, për një ngjarje të ndodhur në vitin 2008 ku në plazhin e Manastirit u kap një skaf me 278 kg marijuanë. Ndërsa më vonë ai është arrestuar sërish në vitin 2017, si pjesë e një grupi që kryente vjedhje në fshatrat kufitare greke.