Sherr, buzëqeshje dhe akuza, Parlamenti kthehet pas 2 muajsh për 20 minuta “SHOW”

Më pak se 20 minuta ka zgjatur seanca plenare në Parlamentin shqiptar.

E karakterizuar nga debatet e forta, Kuvendi nuk miratoi as kalendarin e punimeve.

Palët nuk arritën dakortësi për miratimin e kalendarit dhe planit të punës së Kuvendit deri në 5 korrik. Sipas rregullores kalendari dhe programi do t’i kalojnë për miratim seancës plenare, ku pritet që të miratohen pasi mazhoranca i ka numrat e nevojshëm.

Mbledhja nisi me debate mes Gazment Bardhit, kreut të grupit parlamentar të PD dhe kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali e Taulant Ballës. Bardhi akuzoi Ballën se e kanë kthyer Kuvendin në pronë private, ndërsa vijoi me pretendimet për ‘dhunim zgjedhjesh’.

Ashtu siç ishte dhe lajmëruar, seanca u shoqëruar me tensione mes opozitës dhe maxhorancës. Folësi i parë në Parlament ishte kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe pas përfundimit të minutazhit të dhënë prej 5 minutash, kryetarja e Kuvendit i mbylli fjalën.

Lulzim Basha, i cili nuk fitoi mandat vendosi të mos jetë as fizikisht në një Kuvend. Basha ka zgjedhur heshtjen pas humbjes, por ngjan më shumë me zhdukjen politike.

Mungesës së tij iu bashkua dhe ajo e Dashnor Sulës, i cili, pasi këmbënguli që Kuvendi duhet të rifillojë punën sipas ligjit, vendosi që vetë ta anashkalojë këtë fillim me shumë finesë.

Po ashtu në seancën e parë pas zgjedhjeve, nuk ishin të pranishme as Ori Nebiaj, Dhurata Çupi, Flutura Açka e disa të tjerë që dikur dominonin, por që tashmë kanë lënë vendin bosh.

Opozitarët ishin të gjithë njëzëri në akuzat për farsë elektorale. Madje edhe ata që kanë dalë hapur kryedemokratit Sali Berisha! Ndërsa socialistët duken të kënaqur me arritjen historike të partisë së tyre, ndaj mandati për ta nuk vlen shumë.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj, në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, deklaroi se Partia Demokratike ndodhet në një pikë kritike, duke theksuar se ka arritur fundin.

“Opozita pësoi një humbje turpëruese. Keqardhje që flasim për vjedhje të zgjedhjeve por jo për zgjidhje si mund të dalim nga kjo situatë. I bashkohem Berishës në akuzat por a është Berisha zgjidhja? PD do të ketë zgjidhje, por tani është fundi. Vjeshta që vjen maksimumi pranvera do të prodhojë zgjidhje,”-tha Xhaferaj.

Deputeti i PS-së në Qarkun Elbasan, Luan Duzha, i cili nuk arriti të sigurojë mandatin për t’u bërë pjesë e Parlamentit të ri, ka deklaruar se nuk ka blerë asnjë votë në zgjedhjet e 11 Majit.

 

“Nëse është blerë një votë unë shkoj me qejf në burg, kaq, një votë. Është e gjitha një gënjeshtër, as nuk më kanë kontrolluar, as nuk më kanë marrë celularin, asgjë. Nëse është blerë një votë unë shkoj me qejf në burg, kaq, një votë. Unë flas për veten time, nëse është blerë një votë e vetme nga njerëzit e mi apo shokët e mi për mua, unë shkoj me qejf në burg,”- deklaroi deputeti socialist. Po ashtu, një prononcim e ka pasur edhe deputeti i qarkut të Durrësit, Arkend Balla, i cili është ndër më të votuarit në të gjithë Shqipërinë. Ai kishte dhe një përgjigje për akuzat e opozitës se Balla ka siguruar votat nga mbështetja që i kanë dhënë grupet kriminale në zonën e Durrësit.

 

“Iu përgjigjën qytetarët më datë 11 akuzave. Unë bëj fushatë çdo ditë në zonën time elektorale. Falë punës u bë gjithë ky rezultat,”-tha Balla.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tha për gazetarët se e vetmja keqardhje është se sipas saj njerëzit janë më të varfër dhe po largohen çdo ditë e më shumë, por te kutitë, votat dalin në favor të qeverisë.

“Nuk kam asnjë lloj keqardhje. Të vetmen keqardhje që kam është se njerëzit ndihen shumë më të varfër, largohen çdo ditë e më shumë, janë shumë më të pakënaqur, por kur vjen puna, u dalin votat te kutia me shumicë në favor në qeverisë. Keqardhje për Ilir Metën? Patjetër. Përgjegjësi për të? Nuk shoh ndonjë përgjegjësi të madhe, unë nuk kam bërë dhe nuk kam qenë liderë e fushatës së tij, unë kam qenë një nga personat që kërkonte votë për Ilir Metën. Përgjegjësinë më të madhe duhet ta kërkojmë tek organizatorët e zgjedhjeve. Para ca ditësh pashë sesi njerëzit protestonin për rrugën. Filmi është njëra anë e jetës. Politika nuk bëhet vetëm duke bërë politikë. Politika bëhet edhe me analizat. Por dua t’ju them se nuk mendoj që situata do të bëhet më mirë sesa ka qenë. Që është farsë elektorale, është,”-tha Kryemadhi.

 

Ndërsa prononcimin më epik e kishte Edona Bilali, e cila adresoi “reklamën” që i bëri vetes gjatë fushatës. Për të, spoti nuk kishte asnjë problem, por problemi ishin qytetarët (përveç atyre të Shkodrës) që nuk e kuptuan.

 

PRONONCIMET E TJERA:

 

Ilir Metaj: Nuk e mas jetën me sa por me si.

 

Toni Gogu: Nuk më vjen keq për asgjë. Ka qenë një garë ku PS ka arritur një super rezultat. Ashtu siç i udhëheq perëndia njerëzit e vetë. Erdha nga fshati, banoj në fshat, do vazhdoj që t’u shërbej njerëzve.

 

Qefalia: Kuotën gjinore vetë e përcaktuam.

 

Koçi: Keqardhje që nuk do ju takoj më këtu.

 

Nasip Naço: Do vazhdoj me profesionin tim. Besoj se do të tërhiqem nga politika.

 

Krashi: Ju falenderoj për interesin nga media. Kemi një mbledhje. Unë në Angli? E kam lënë Anglinë. Do të vazhdoj me PS.

 

Gjonaj: Patjetër që më vjen keq, por jam falenderuese për ata që më votuan.

 

Merita Bakiu: U munduam që të bënim një betejë të drejtë. Më vjen keq vetëm për diçka. Pakti Rama-Berisha i la demokratët rrugëve. Jam me keqardhje për demokratët.

Andia Ulliri: Në fakt duke qenë se certifikimi i mandateve ende nuk ka përfunduar, do të presim sesi do të procedohet. Në fakt, meqë jemi së bashku, kam depozituar një kërkesë në KQZ për çështjen e kuotës gjinore.

Lindita Metaliaj: Keqardhje e madhe që nuk triumfoi vota e lirë. Nëse do jem apo jo në parlament, nuk është çështje e madhe.

Enkelejd Alibeaj: Unë kam ikur njëherë në 2013, por kam ikur me kokën lart. Në 2019 ika me kokën ulur. E rëndësishme është sesi del, unë dal me kokën lart. Këta këtu janë pazarxhinjtë. Fitoi Rama, fitoi Berisha. Preja e radhës është drejtësia. Rrugët e zotit janë të pafundme. Unë nuk kam ardhur si anonim në këtë sallë.

Helidon Bushati: Unë e kam zgjedhur vetë

Edmond Spaho: Jetë nuk është vetëm parlament.

Deputetët u rikthyen ne Kuvend pas 2 muajsh fushatë. Për shkak të tensioneve dhe debateve, seanca e sotme përfundoi pas 15 minutash, pas akuzave dhe debateve mes socialistëve e demokratëve, kryesisht për rezultatin e 11 majit. Seanca u shoqërua me tone të ashpra dhe përplasje verbale mes kreut të PD-së, Sali Berisha, dhe kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, të cilët shkëmbyen akuza të ndërsjella.

Në imazhet më poshtë paraqiten disa momente nga takimet e deputetëve në ambientet e jashtme të Kuvendit ku duket se nuk kanë munguar as përshëndetjet me kundërshtarët.

Ornaldo Rakipi dhe Ramadan Lika kanë shtrënguar duart mes tyre, ndërkohë që Helidon Bushati dhe Frrok Gjini janë përqafuar. Nga ana tjetër Erion Braçe i “rreh shpatullat” Tritan Shehut, ndërsa Nasip Naco dhe Ferdinand Xhaferri kanë dalë bashkë nga Kuvendi.