“Shënkolli”, burg apo spital?! Ngërçi institucional dhe pasojat e një marrëveshjeje të pazbatuar!

Pak pas mesnatës së 3 shkurtit 2025, rreth orës 03:20 minuta, u arratis nga burgu i Shënkollit, Daut Laze. Laze u dënua në vitin 2021 për veprën penale të “Dhunës në familje”, ndërsa sipas vlerësimeve të raporteve mjeko-ligjore, ky i dënuar, kishte nevojë për mjekim, pasi vuante nga çrregullime të shëndetit mendor. Duke e konsideruar kështu juridikisht pacient, e duke e dërguar në spitalin burg të Shënkollit.

Burgu i Shënkollit u hap pas mbylljes së burgut famëkeq të Zaharisë. Dhe në këto më shumë se tre dekada, nuk është mundur ende të ndahet, nëse ky institucion vuajtje dënimi për të dënuar me kategori të veçanta, do të konsiderohet burg apo spital. Pra nëse do të ishte në varësi të Ministrisë së Drejtësisë apo në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në kushtet kur kemi një burg me kapacitet 250 persona, por që në të qëndrojnë 470, pra më shumë se dyfishi i kapacitetit normal, por kemi një neglizhencë ndasie, ky institucion, nuk mund të konsiderohet burg, përsa kohë, siç e thamë më lart, statusi juridik i tyre, është pacientë. Për pasojë, edhe masat e sigurisë janë më të ulëta, pavarësisht se qëndrojnë në të persona që nëse “dalin në rrugë”, paraqesin rrezikshmëri shoqërore.

Drejtoria e Përgjithshmë e Burgjeve, sipas konfirmimeve të marra nga Replikë, ka mbajtur ndër vite, korrespondenca të vazhdueshme me Prokurorinë, Gjykatat dhe Ministrinë e Shëndetësisë, në lidhje me të gjitha rastet e personave që dënohen, por që paraqesin problematika të shëndetit mendor, e për pasojë shndërrohen në pacientë.

Edhe pse në vitin 2021, Ministria e Shëndetësisë i tha Ministrisë së Drejtësisë se do të merrej në administrim, ende sot e kësaj dite nuk kemi asnjë kalom kompetencash. Deri sa të zgjidhet kjo suituatë, Shënkolli do vijojë të konsiderohet burg, edhe pse në të ka pacientë.

Çfarë ndodhi në Shënkoll një ditë më parë:

Daut Laze, 49 vjeç, është arratisur nga burgu i Shënkollit duke shfrytëzuar një moment pa mbikëqyrje gjatë qëndrimit në sektorin e trajtimit mjekësor. Sipas këqyrjes paraprake të kamerave të sigurisë, Laze nuk është ndihmuar nga stafi i burgut, por ka vepruar i vetëm.

Ai ka dalë në ajrim dhe aty ka gjetur një llamarinë, të cilën e ka përdorur për t’u ngjitur mbi murin 4 metra të lartë të burgut. Pas kapërcimit të murit dhe rrjetës rrethuese, 49-vjeçari është larguar me vrap drejt fushave përreth burgut.

Policia ka nisur kërkime intensive për kapjen e tij, duke u përqendruar në zonën përreth burgut të Shënkollit, si dhe në qytetet Lezhë, Tiranë, Çorovodë dhe qytete të tjera. Operacioni është në vijim, pasi Daut Laze konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë për shkak të çrregullimeve të shëndetit mendor.

Për këtë ngjarje janë arrestuar tre punonjës të burgut, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre:
• Gjin Ndoka, punonjës në shërbim në kupolën e burgut
• Tonin Nikolli, punonjës në sektorin e sigurisë
• Zhaneta Mella, operatore kamerash

Hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka pasur bashkëpunim të brendshëm ose pakujdesi të qëllimshme që çoi në arratisjen e 49-vjeçarit.