Shëngjin, muzika nën vëzhgim! Policia kontrollon lokalet e natës

Policia e Lezhës ka intensifikuar kontrollet në zonën turistike të Shëngjinit për të monitoruar nivelin e zhurmave të shkaktuara nga muzika gjatë fundjavës.

Sipas autoriteteve, matjet e kryera me pajisje të posaçme kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar sipas ligjit, ndërsa janë kontrolluar edhe respektimi i orarit të muzikës në ambiente të hapura. Policia thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Lezhës kontrolle për nivelin e zhurmave në zonën turistike të Shëngjinit

📍 Shëngjin

Në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar disa takime informuese me persona fizikë, të cilët në veprimtaritë e tyre gjenerojnë zhurma nga muzika, kryesisht në zonat turistike.

Ka nisur gjithashtu zbatimi i detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror. Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Lezhë, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonën turistike të Shëngjinit, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës, të përcaktuar në Ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.

Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Lezhës mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.