Shëngjin/ Arrestohet i riu që lëvizte i armatosur në shëtitore, me fishek në fole gati për qitje

Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Siguria”, në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në zonat turistike gjatë sezonit veror.

Në fokus të operacionit ishte një shtetas që lëvizte i armatosur në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit. Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, kanë organizuar ndërhyrjen, duke neutralizuar personin e dyshuar.

Klaudio Vuksani, 21 vjeç, banues në Lezhë, u arrestua në flagrancë teksa mbante me vete një armë zjarri automatike tip “Scorpion”, me fishek në fole gati për qitje, si dhe dy krehra me municion luftarak.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, Vuksani tentoi të largohej, por u kap menjëherë nga efektivët.

Gjatë kontrollit u sekuestruan:

-1 armë zjarri automatike “Scorpion”

-Municion luftarak

-2 celularë

-1 automjet dhe 1 motomjet që dyshohet se përdoreshin nga i riu

Ndaj tij rëndon akuza për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.