Shembull New York dhe Paris, Rama: Trotuari është i njerëzve dhe kurrësesi i barrikadave

Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim  në rrjetet sociale, ku në fokus kishte “zaptimin” e hapësirave publike, e sidomos trotuareve.

Këtë herë ai merr si shembull metropole si Parisi, Londra apo New York-u të cilat po ashtu, sipas tij, kanë karrige apo ofrojnë shërbime në një pjesë të trotuarit, por duke u lënë hapësirë edhe njerëzve të kalojnë.

“Asnjë problem me karriget dhe shërbimin në një pjesë të trotuarit, si në Paris, Londër apo New York, por pa harruar që trotuari është i njerëzve dhe kurrësesi i barrikadave, si në Lungomare! Koha për të çliruar trotuaret nga barrikadat dhe për ta ngritur edhe shërbimin edhe dukjen në një nivel të ri, të denjë për Shqipërinë Turistike

Lungomarja është modeli i vijës ujore të një qyteti turistik bregdetar, tani duhet dhe do të jetë model i dizajnit të jashtëm të një vije shërbimesh

Prandaj pronarët e menaxherët e vijës së shërbimeve, duhet të heqin vetë tërë barrikadat dhe të bashkëpunojnë me bashkinë e Vlorës e me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për dizajnin e ri, për të cilin do t’i mbështesim me kënaqësi” shkruan Rama.